Aplikimet për herë të parë për lejeqëndrim në Republikën e Kosovës, nga sot mund të realizohen online përmes platformës shtetërore e-Kosova.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi, ku ka njoftuar për funksionalizimin e këtij shërbimi të ri digjital.
Sipas Sveçlës, ky ndryshim synon të lehtësojë procedurat administrative për shtetasit e huaj që aplikojnë për lejeqëndrim në Kosovë, duke u mundësuar atyre që procesin e aplikimit ta kryejnë në mënyrë elektronike, njofton Dukagjini.
Ministri ka theksuar se digjitalizimi i këtij shërbimi përbën një hap të rëndësishëm në modernizimin e administratës publike dhe në përmirësimin e qasjes në shërbimet institucionale.
Megjithatë, aplikimi përmes platformës e-Kosova do të mund të bëhet vetëm nga personat që ndodhen brenda territorit të Republikës së Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e digjitalizimit të shërbimeve dhe lehtësimit të procedurave administrative, duke mundësuar qasje më të shpejtë, më të thjeshtë, më efikase dhe më të dinjitetshme për qytetarët e huaj që aplikojnë për lejeqëndrim në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka bërë të ditur se përmes reformave të tilla synohet vazhdimi i modernizimit të shërbimeve publike, me qëllim të krijimit të një administrate më efikase dhe më të qasshme për qytetarët.
Me funksionalizimin e këtij shërbimi, aplikimi për herë të parë për lejeqëndrim bëhet pjesë e shërbimeve që mund të realizohen përmes platformës shtetërore e-Kosova.









