KOPMAN: TË GJITHË KAPITUJT E MALIT TË ZI JANË TË GATSHËM PËR MBYLLJE, POR NEVOJITEN VENDIME POLITIKE

Foto: KE

Komisioni Evropian vlerëson se Mali i Zi i ka përmbushur kushtet teknike për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa vendimi përfundimtar u takon shteteve anëtare.  

Kështu deklaroi Gert Jan Kopman, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore në Komisionin Evropian, duke theksuar se nuk e konsideron tepër ambicioz synimin për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të këtij viti.

Sipas tij, shumica e shteteve anëtare mbështesin përmbylljen e procesit, ndërsa disa çështje dypalëshe mes Malit të Zi dhe Kroacisë mbeten ende për t’u zgjidhur.

Kopman theksoi se ky objektiv është i arritshëm, por do të kërkojë edhe disa vendime të vështira politike.

Ai shtoi se përfundimi i negociatave do të ishte një zhvillim pozitiv për Bashkimin Evropian, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat që e presin Unionin gjatë vitit të ardhshëm.

SHARE