BIE SËRISH ÇMIMI I NAFTËS NË BURSAT NDËRKOMBËTARE

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare rikthehet në kuotat e para luftës në Ukrainë. Bursat e Teksasit dhe të Londrës u hapën këtë të Hënë me çmime prej rreth 86 dhe 92 dollarësh për fuçi, sa ç’kanë qenë në Janar. Bëhet fjalë për kontratat e shitjes për Nëntorin. Ndikim pati në veçanti angazhimi i presidentit kinez Shi Xhinping për të vazhduar me politikën “zero COVID” që izolon çdo rast të dyshuar për infektime me koronavirus, ashtu siç veprohej në fillim të pandemisë. Një politikë e tillë sinjalizon kërkesë të ulët për naftë nga një prej industrive më të mëdha të botës, ndikues kryesor në luhatjen e çmimeve. Analistët thonë se rikthimi i çmimit në periudhën e para-luftës në Ukrainë tregon po ashtu se tregjet e kanë kapërcyer tashmë panikun që shkaktoi vendimi i OPEC-ut të dy javëve më parë për reduktimin e prodhimit me 2 milion fuçi në ditë. Përkundër kërkesës së Uashingtonit, Arabia Saudite si prodhuesi më i madh vendosi të heqë nga tregu një sasi të konsiderueshme ditore, duke argumentuar se ka për qëllim të mbajë çmimin në nivele të arsyeshme si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët.

SHARE