MILLATOVIQ PRITI NË REZIDENCËN E CETINËS PRESIDENTIN E BULLGARISË RUMEN RADEV

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka pritur në rezidencën e Cetinës presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Millatoviq tha se vizita e Radevit është konfirmim i një aleance të fortë dhe vendosmëri reciproke për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe në fushat me interes të përbashkët.

Ai falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e deritanishme politike dhe eksperte për integrimin evropian të Malit të Zi, me shpresë se ai do të vazhdojë dhe forcohet më tej.

“Qëllimi ynë është që deri në vitin 2028 të bëhemi shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian (BE)”, shtoi Millatoviq.

Millatoviq tha se përveç mbështetjes së Bullgarisë në rrugën evropiane të Malit të Zi, dy vendet kanë një bashkëpunim të rëndësishëm në kuadër të NATO-s, si dhe një rol aktiv në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Ballkanik.

“Kontigjenti më i madh i ushtrisë malazeze jashtë kufijve të Malit të Zi është i vendosur në Bullgari. Tani përbëhet nga 42 pjesëtarë të Armatës së Malit të Zi”, tha presidenti.

Ai tha se Mali i Zi në mënyrë aktive kontribuon në rritjen e pranisë ushtarake në krahun lindor të aleancës së NATO-s dhe në këtë mënyrë për sigurinë më të madhe të Evropës.

Radev tha se Bullgaria vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi dhe shtoi se ato bazohen në besim, qëllime dhe vlera të përbashkëta.

Ai tha se Bullgaria gjithmonë e ka mbështetur Malin e Zi në rrugën drejt BE-së.

“Mali i Zi është lider në atë proces dhe është e rëndësishme që suksesi që po shënoni të jetë shembull për të tjerët. Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë këto përpjekje me ndihmën e saj eksperte dhe teknike. Para nesh është një hapësirë ​​e gjerë dhe nga përpjekjet tona të përbashkëta varet stabiliteti i rajonit tonë dhe prosperiteti ekonomik”, tha Radev.

SHARE