Qeveria e Malit të Zi në seancën e sotme miratoi listën e rishikuar të barnave.
Rishikimi përfshinte 11 barna gjenerike për të cilat tashmë ekziston një paralele në Listën e Barnave, gjashtë barna të reja që nuk ishin në Listë deri më tani dhe indikacionet për dy barna u zgjeruan.
“Duke zgjeruar indikacionet do të mundësohet trajtimi i pacientëve me kancer të gjirit trefish negativ, të cilët deri më tani nuk kishin mundësi të përshtatshme terapeutike, si dhe trajtimi i pacientëve me kancer të mushkërive. Barnat e reja, të cilat deri më tani nuk kanë qenë në listën e barnave, do të përdoren në trajtimin e sëmundjeve të traktit gastrointestinal dhe imunizimin e rregullt të popullatës”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Lista e re e barnave është miratuar në përputhje me vendimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë për rishikime më të shpeshta të barnave, gjë që kontribuon në një gjithëpërfshirje dhe aktualitet më të madh të terapisë.
“Qëllimi i miratimit të Listës së Barnave është krijimi i kushteve që kujdesi shëndetësor të zhvillohet në mënyrë sa më efikase dhe racionale, me sigurimin e barnave moderne, të sigurta, cilësore dhe efektive në kurriz të Fondit të Sigurimit Shëndetësor,” thekson Ministria.