Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ndryshimet në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor kanë hyrë në fuqi nga sot, duke sjellë gjoba më të larta për shkelësit, mundësinë e konfiskimit të përkohshëm të automjeteve për shkelësit e përsëritur, si dhe kufizime të reja për shoferët e rinj, njoftoi ministri i Brendshëm, Danillo Sharanoviq.
Sipas tij, masat e reja synojnë rritjen e sigurisë në trafik dhe uljen e numrit të aksidenteve të rënda. Ligji parashikon edhe futjen e sistemit për matjen e shpejtësisë mesatare, si dhe rregulla më të qarta për përdorimin e automjeteve të lehta elektrike.
Një nga ndryshimet kryesore është kufizimi për shoferët nën moshën 21 vjeç, të cilëve u ndalohet drejtimi i automjetit nga ora 00:00 deri në 05:00, ndërsa drejtimi i automjeteve me fuqi të lartë lejohet vetëm nën mbikëqyrjen e një shoferi me përvojë.
Sharanoviq theksoi se këto masa janë ndërmarrë për shkak të numrit shqetësues të aksidenteve dhe shkeljeve të rënda në trafik.










