Një krizë e madhe karburanti po afrohet dhe shefi i agjencisë ndërkombëtare të energjisë, Fatih Birol, paralajmëron se do të duhen dy vjet që furnizimet të kthehen në normalitet, pas luftës.
Ai po ashtu paralajmëroi se evropës i kanë mbetur vetëm gjashtë javë karburant për avionët.
Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i marsit pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit. Birol paralajmëroi se bota duhet të përgatitet për çmime “dukshëm më të larta” të energjisë nëse pika kyçe e bllokimit të naftës nuk zhbllokohet së shpejti.
Iranianët refuzuan të rihapin Ngushticën javën e kaluar, edhe pse rrjedha e lirë përmes korridorit të transportit detar ishte një pikë kyçe në një marrëveshje armëpushimi dyjavore.
Tani marina amerikane po zbaton një bllokadë të korridorit të transportit detar që zbatohet për çdo anije që hyn dhe del nga portet iraniane. Por edhe nëse konflikti përfundon me bisedimet e ardhshme të paqes, furnizimet me energji mund të kërkojnë dy vjet për t’u rikuperuar, paralajmëroi Agjencia.
Birol, shtoi se kjo “do të ndryshojë nga një vend në tjetrin duke theksuar se në Irak, për shembull, do të duhet shumë më tepër kohë sesa në Arabinë Saudite”.
Ai paralajmëroi se tregjet nuk po i marrin mjaftueshëm seriozisht efektet e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit për një kohë të gjatë.
“Ne duhet të përgatitemi për tregje të paqëndrueshme për njëfarë kohe”, i tha Birol Neue Zurcher Zeitung.
Ai shtoi se agjencia ndërkombëtare e energjisë ishte gati të vepronte menjëherë dhe me vendosmëri pasi lëshoi një sasi të madhe prej 400 milionë fuçish nafte nga rezervat e saj muajin e kaluar.









