TRUMP PLANIFIKON TË BISEDOJË ME PUTININ MË 18 MARS

Foto: AA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka në plan të flasë me telefon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 18 mars.

Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim në luftën në Ukrainë, e cila ka hyrë tashmë në vitin e katërt.

“Do të flas me presidentin Putin të martën. Është bërë shumë punë gjatë fundjavës”, u tha Trump gazetarëve më 16 mars, gjatë një fluturimi për në Uashington nga resorti i tij në Floridë.

“Duam të shohim nëse mund t’i japim fund kësaj lufte. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se e kemi një shans shumë të mirë”, tha Trump.

Kur u pyet për koncesionet e mundshme që kërkohen për të siguruar armëpushim, Trump tha se “do të flasim për tokën, do të flasim për termocentralet”.

“Mendoj se shumëçka është diskutuar prej të dyja palëve, Ukrainës dhe Rusisë. Tashmë jemi duke diskutuar, duke ndarë asete të caktuara”, tha Trump.

Nga Kremlini nuk pati komente të menjëhershme.

SHARE