SHQIPËRIA MIRËPRET SAMITIN E LIDERËVE TË PROCESIT TË BERLINIT

Në Tiranë u mbajt Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces, ndërsa në fokus të punimeve janë disa çështje në lidhje me integrimin e rajonit në tregun unik, procesin e integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor dhe çështje të tjera.

Në hyrje të Samitit, kryeministri Edi Rama vuri theksin te ndasitë mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare të Bashkimit Europian. Sipas tij, premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar.

“Sfida më e madhe politike është ndarja e dhimbshme mes anëtarëve të BE dhe jo anëtareve. Të jetosh pa BE-në nuk është e lehtë. A mund t’i përballojmë këto ndasi? Premtimet ekonomike të Procesit të Berlinit nuk janë realizuar, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese që ka sjellë”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, njëherazi ‘arkitekti’ i Procesit të Berlinit, deklaroi se samiti i Procesit të Berlinit provoi rëndësinë e pamohueshme të Ballkanit Perëndimor në union. Sipas Scholz, ndikimi i marrëveshjeve të firmosura vitin e kaluar të Procesit të Berlinit kanë qenë konkrete dhe priten edhe të tjera. Megjithatë, pas agresionit në veri të Kosovës, ka ardhur koha që të tejkalohen konfliktet që mbajnë rajonin në vend numëro.

Edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, theksoi rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Michel tha se të dyja palët duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030-të.

“Zgjerimi është investim në paqen dhe begatinë e BE-së dhe anëtarëve tanë të ardhshëm. Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në BE. Ka qenë një rrugë shumë e ngadaltë. Zhgënjyese. Por tani, besoj që duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030-ën për t’u zgjeruar. Lufta në Ukrainë e ka përqendruar vëmendjen tonë te zgjerimi”.

Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tregoi qëllimin e unionit për t’i dhënë qasje Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

“Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët europian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Europian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”.

SHARE