NËNSHKRUHET MARRËVESHJA PËR KRIJIMIN E QENDRËS PËR KAPACITETET KIBERNETIKE TË BALLKANIT PERËNDIMOR ME SELI NË PODGORICË

Kryeministri i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar si dhe sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane, Lorans Bunn, nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Qendrës për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor me seli në Podgoricë.

Në nënshkrim mori pjesë edhe ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Programet që zbatohen në kuadër të Qendrës kanë për qëllim kryesisht mbajtësit e infrastrukturës kritike dhe janë të dizajnuara në atë mënyrë që të edukojnë në mënyrë tematike përfaqësuesit e këtyre strukturave, në mënyrë që në periudhën e ardhshme ata të mund të transferojnë njohuritë e marra te punonjësit e tjerë në organizatat e tyre.

Prandaj, me nënshkrimin e kësaj marrëvesheje krijohen parakushtet për forcimin e sigurisë kibernetike në vendet e Ballkanit Perëndimor, për përmirësimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve rajonalë në luftën kundër këtyre kërcënimeve, si dhe për krijimin e një qendre rajonale që do të inkurajojë programe dhe trajnime të avancuara dhe përkatëse, si dhe bashkëpunim në zhvillimin e kurrikulës kibernetike në fushën akademike rajonale.

“Një ditë e madhe për Malin e Zi. Qendra Rajonale e Sigurisë Kibernetike do të jetë në Podgoricë. Faleminderit të gjithëve që kontribuan në këtë moment të rëndësishëm për vendin tonë dhe sektorin e IT-së”, tha me këtë rast kryeministri i Malit të Zi Abazoviq.

SHARE