KFOR-i PARALAJMËRON LËVIZJE TË SHTUAR TË TRUPAVE DHE AUTOMJETEVE NË KOSOVË

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar se ditët në vijim do të ketë lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda territorit të Kosovës.

Në një deklaratë për media, KFOR-i njofton se kjo lëvizje e shtuar do të jetë për shkak të procedurave normale të dorëzimit të kontingjenteve në kuadër të këtij misioni.

“Gjithashtu do të kryhen ushtrime për testimin dhe ruajtjen e aftësive operacionale në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i trajnimit dhe gatishmërisë së të gjitha njësive që vijnë në terren”, thuhet në njoftim.

KFOR-i tha se përderisa këto ushtrime do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të minimizohet çdo ndërprerje dhe ndikimi për popullatën lokale, është e mundur që të ketë vonesa në qarkullimin e trafikut dhe të shihen lëvizjet e ushtarëve.

Rrjedhimisht, misioni ndërkombëtar në Kosovë u ka bërë thirrje shoferëve që të kenë vëmendje të veçantë nëse janë afër kolonave të automjeteve ushtarake.

KFOR-i ka rreth 4.700 trupa në Kosovë, ndërsa sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kosovës, që i dha fund luftës së vitit 1999, KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.

SHARE