ABAZOVIQ: MIRËPRESIM MBËSHTETJEN NGA TË GJITHË ATA QË DUAN QË NE TË ECIM PËRPARA

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, duke folur për pritjet e votimit të mosbesimit të kabinetit të tij, tha se është e mirëseardhur mbështetja e të gjithë atyre që duan që vendi të ecë përpara. Abazoviq ka përsëritur se 19 gushtin, kur është caktuar votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë, ai po e pret i qetë dhe se ata janë këtu për të bërë gjëra të mira për Malin e Zi. “Kush do që të kthehet mrapa, të ndihet i lirë ta bëjë këtë. Kushdo që dëshiron të shkojë përpara është i mirëpritur të japë mbështetje. Kush do që të anulojë Marrëveshjen Themelore, të kthehemi në përçarje, luftime, le ta zgjedhë atë rrugë. Kush do përparim, infrastrukturë, ndërtim të autostradës, për t’u përqendruar në standardet e jetesës – ai ka një zgjedhje”, tha Abazoviq. Ai tha se është vetëm një çështje “racionale dhe irracionale”. “Irracionaliteti mbizotëron shpesh në Mal të Zi, por jam i sigurt se qytetarët duan të ecin përpara, të investojnë në shkolla, spitale, infrastrukturë, ky është fokusi ynë”, tha Abazoviq. Nënkryetari i PSP-së dhe ministri i Shëndetësisë Dragoslav Shqekiq, duke folur nëse partia e tij do të jetë pjesë e qeverisë së re, nëse bie ajo aktuale, thotë se kanë dhënë “kontributin maksimal që qeveria të funksionojë në mënyrën më të mirë”. “Interesi ynë është të vazhdojmë luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kjo nuk duhet të ndalet. Disa ndihmojnë disa struktura kriminale për të mbijetuar. Besoj se kjo qeveri do të vazhdojë me kapacitet të plotë”, tha Shqekiq, duke deklaruar se duan Malin e Zi në Bashkimin Evropian.

SHARE