Në kuadër të vizitës së tij të punës në Prishtinë, zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, ka takuar zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila i uroi mirëseardhjen dhe theksoi rolin e rëndësishëm të pakicave në marrëdhëniet fqinjësore mes dy vendeve.
Gjatë takimit u diskutua për çështjen jetike të pozitës dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë në Kosovë, si dhe nevojën e përfshirjes së komunitetit malazez si kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës.
Gjeloshaj theksoi rëndësinë e kombeve pakicë dhe tha se Mali i Zi është shembull i harmonisë shumëkombëshe në Ballkanin Perëndimor dhe një vend që ka marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.
„Ne duam marrëdhënie të mira me të gjithë. Ne duam që të ruhet paqja në Ballkanin Perëndimor dhe me paqen vjen stabiliteti dhe prosperiteti për të gjitha vendet dhe popujt tanë,“ tha Gjeloshaj.
Gjatë takimit u ra dakord që të vazhdohet komunikimi i ngushtë për planin e intensifikimit të aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta që çojnë në lidhje më të forta dhe një perspektivë të përbashkët evropiane.
Në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë, zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, është takuar edhe me ministren e Ekonomisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës Artane Rizvanolla.
Gjatë takimit me ministren e Ekonomisë u diskutua për projekte potenciale mes dy vendeve. Ndër të tjera, u diskutua konkretisht për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, të filluar në vitin 2014.
„Mali i Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe ne duam që ky bashkëpunim të jetë më i fortë. Ka potencial të madh për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona, veçanërisht në infrastrukturë dhe turizëm”, tha Gjeloshaj.