SPAJIQ: MALI I ZI PO BËN PËRPARIM NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT

Sot në Bruksel kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka patur fjalën e rastit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Spajiq tha se ishte i kënaqur që prezantoi një sërë hapash dhe zhvillimesh pozitive në rrugën drejt BE-së. Ai tha se parlamenti ka punuar ditë e natë për të zgjedhur qeverinë e re dhe për të bërë emërimet kyçe.

“Ato hapa na lejuan të marrim edhe një herë rolin e vendit kandidat më të avancuar për anëtarësim në BE”, tha Spajiq.

Ai tha se shpreson se Mali i Zi në qershor do të bëjë përparim serioz në rrugën drejt BE-së dhe një nga qëllimet është që të mundësohet përparim i fuqishëm ekonomik i vendit.

Ai kujtoi rezolutën e Parlamentit Evropian për shqetësimet rreth tensioneve politike dhe ndarjeve në Mal të Zi.

“Në të kundërt të asaj pamje gri, sot gjërat janë krejtësisht të ndryshme dhe forca e konsensusit u pa veçanërisht në përmbushjen e regjistrimit”, tha Spajiq.

Ai beson se Mali i Zi nuk është i njëjti vend siç ishte kur filloi negociatat me BE-në 12 vjet më parë.

Ai tha se është bërë përparim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Progresi, thotë ai, është i dukshëm edhe në drejtim të hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë së fituar me krim.

“Arrestimet e ish-kryeprokurorit dhe ish-kreut të policisë speciale zgjerojnë listën famëkeqe të personave të arrestuar për korrupsion dhe krim”, tha Spajiq.

Ai tha se qëllim i veçantë është zgjidhja e sulmeve ndaj gazetarëve, për të cilën po punohet nga një komision i posaçëm.

Ai theksoi se reagimet ndaj sulmeve ndaj gazetarëve kanë qenë shumë më efektive në kohët e fundit sesa në vitet e mëparshme.

Kryeministri malazez tha se Podgorica është shumë mirënjohëse për marrëveshjen e BE-së për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Spajiq falënderoi deputetët e Parlamentit Evropian dhe përfaqësuesit e institucioneve të Brukselit për mbështetjen e tyre.

McAllister tha se BE vlerëson angazhimin e Malit të Zi ndaj politikës së jashtme të BE-së. Ai tha se në dy vitet e fundit procesi i BE-së në Mal të Zi ka regresuar dhe se që nga viti 2017 nuk është mbyllur asnjë kapitull. Me zgjedhjen e qeverisë së re, tha ai, po bëhet një ndërrim dhe veçanërisht i kënaqur me zgjedhjen e njerëzve kyç në gjyqësor. “Është një hap pozitiv përpara,” tha McAllister.

SHARE