KE-ja KUNDËR SHTYRJES SË PENSIONIT TË GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Procesi i emërimit të gjyqtarit të ri në Gjykatën Kushtetuese duhet të përfundojë në kohë në mënyrë që vendi vakant të plotësohet menjëherë në përputhje me rregullat në fuqi, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez.

Ajo tha për “Vijesti” se KE-ja është duke e monitoruar me kujdes procesin e emërimit të gjyqtarit të ri në Gjykatën Kushtetuese, duke pasur parasysh daljen e ardhshme në pension (të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Millorad Gogiq).

Mandati i Gogiqit skadon në fund të majit kur ai fiton të drejtën për pension, dhe Komisioni Kushtetues Parlamentar përcaktoi një listë të kandidatëve për zëvendësimin e tij në fillim të marsit. Megjithatë, intervistat me kandidatët ende nuk janë caktuar.

Pisonero Hernandez thotë se KE mirëpret vendimin e javës së kaluar për pezullimin e nismës së një grupi deputetësh për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese në mënyrë të nxituar.

“Një reformë e tillë kërkon analiza, shpjegime dhe konsultime të duhura, duke përfshirë Komisionin Europian dhe atë të Venecias”, tha Pisonero Hernandez duke iu përgjigjur pyetjeve të “Vijesti”, cili është qëndrimi i KE-së në lidhje me tentativën e qeverisë për të rritur moshën e pensionit për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe nëse është një zgjidhje e mirë rritja e moshës së pensionit vetëm për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, dhe jo për të gjithë gjyqtarët.

Shumica parlamentare u përpoq, fillimisht me propozim për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e më pas me propozimin për ndryshimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor (PIO), të rrisë moshën e daljes në pension për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë mënyrë t’u “zgjatet” mandati disa prej gjyqtarëve që duhet të dalin në pension këtë vit.

Mirëpo, pas reagimeve të publikut, fillimisht e tërhoqën propozimin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, ndërsa deputetët e Lëvizjes Evropa Tani dje njoftuan tërheqjen e propozimit për ndryshimin e Ligjit për PIO. Propozimet parashikonin që mosha e daljes në pension të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të rritet nga 65 në 67 vjeç.

SHARE