IRANI BËRTHAMOR KËRCËNON IZRAELIN: GODASIM DHIMBSHËM

Irani ka kërcënuar se do të përdorë ‘armët që nuk i ka përdorur kurrë’ në një përgjigje ‘të dhimbshme dhe të ashpër’ nëse Izraeli kryen sulme ajrore në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit të Teheranit në fundjavë.

Izraeli më herët u zotua se do t’i përgjigjet sulmit të paprecedentë të Iranit me dronë dhe raketa, mes frikës se Lindja e Mesme është në prag të një lufte gjithëpërfshirëse.

Ndërsa Perëndimi kërkon vetëpërmbajtje, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në Parlamentin iranian, Abolfazl Amoue, deklaroi se Irani është ‘i përgatitur të përdorë një armë që nuk e ka përdorur kurrë’ nëse Izraeli kundërpërgjigjet. Duke folur të hënën, ai tha se Izraeli duhet të marrë parasysh hapat e tij të ardhshëm dhe ‘të veprojë me mençuri’.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi paralajmëroi gjithashtu Izraelin se do të përballet me një ‘reagim të dhimbshëm’ nëse ndërmerr ‘veprimin më të vogël’ në përgjigje të sulmit të vendit të tij.

Kërcënimet ngrenë frikën se breshëria e dronëve dhe raketave të lëshuar nga Irani në fundjavë, 99 përqind e të cilëve u rrëzuan nga Izraeli dhe aleatët e tij, mund ta shtyjë Teheranin të zhvillojë armë bërthamore.

Në vitin 2015, Irani nënshkroi Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, ose sic njihet ndryshe, Marrëveshjen Bërthamore të Iranit, së bashku me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën, Rusinë dhe Kinën, e cila vendoste kufizime në objektet bërthamore të Iranit.

Megjithatë, marrëveshja u godit rëndë në vitin 2018 kur SHBA, nën presidentin Donald Trump, u tërhoqën prej saj dhe vendosën sanksione të reja ndaj Iranit nën një politikë të “presionit maksimal”, duke e shkëputur në thelb Iranin nga sistemi financiar ndërkombëtar.

Në nëntor 2023, një raport i IAEA vlerësoi se rezervat e uraniumit të Iranit ishin 22 herë më të mëdha se kufiri i rënë dakord në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Në dhjetor, mbikëqyrësi i OKB-së paralajmëroi se Irani kishte rritur shkallën e pasurimit të uraniumit deri në 60 për qind, nivel ky shumë afër ndërtimit të armës bërthamore.

Raporti thoshte se Irani ka mjaftueshëm uranium të pasuruar deri në 60 për qind për tre bomba bërthamore sipas përkufizimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Irani gjithnjë ka thënë se e pasuron uraniumin për qëllime paqësore.

Megjithatë, prej katër dekadash, udhëheqësit e republikës islamike betohen se do ta shkatërrojnë izraelin dhe ky kërcënim i fundit, ngre sërish spektrin e një irani të armatosur me bomba bërthamore.

SHARE