HUNGARIA ËSHTË E GATSHME TË MBËSHTESË MALIN E ZI NË PROCESIN E REFORMËS SË ADMINISTRATËS PUBLIKE

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka takuar sot ambasadorin e Hungarisë në Mal të Zi, Jozhef Negjeshi.

Ministri Dukaj falënderoi për mbështetjen e Hungarisë dhe e njoftoi ambasadorin për prioritetet në punën e Ministrisë së drejtuar prej tij.

“Reforma e administratës publike, digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë procese që duhen zhvilluar njëkohësisht, sepse janë të pandashme dhe shumë të rëndësishme për funksionimin normal të shtetit. Ne kemi njohur rëndësinë dhe vlerën e vetë transformimit digjital dhe përpiqemi ta përmirësojmë dhe promovojmë plotësisht këtë koncept. Në këtë drejtim, përmes krijimit të një administrate elektronike moderne dhe efikase, po mundohemi që të digjitalizojmë të gjitha proceset afariste dhe sociale”, tha ministri Dukaj.

Dukaj theksoi se përvojat hungareze në fushën e digjitalizimit të shërbimeve publike janë shembull i mirë dhe se në periudhën e ardhshme duhet të vendosen modele të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike, modernizimit dhe inovacionit në sektorin publik.

Ambasadori Negjeshi theksoi se Hungaria është e gatshme që në çdo moment t’i ofrojë mbështetje eksperte dhe çdo lloji tjetër Malit të Zi, si një vend mik me të cilin ka marrëdhënie të mira dypalëshe shumëvjeçare, në procesin e reformës së administratës publike.

Ai tha se Hungaria do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në procesin e mëtejshëm të integrimit evropian.

Gjatë takimit u konstatua gjithashtu se ka hapësirë ​​të konsiderueshme për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike, në të cilat të dy vendet arrijnë vazhdimisht marrëdhënie partneriteti cilësore dhe të rëndësishme reciproke.

SHARE