SHBA PARALAJMËRON PËR “LUFTIME TË ASHPRA”, TEKSA RUSIA VAZHDON SULMET NDAJ BAHMUTIT

Më 16 mars, ushtria ukrainase raportoi se trupat ruse kishin kryer sulme të shumta në pozicionet ukrainase në dhe rreth qytetit të Bahmutit brenda 24 orëve të fundit, duke vazhduar luftimin intensiv disamujor për kontrollin e qytetit në rajonin lindor të Donjeckut.

Sipas njoftimit të përditshëm të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, trupat ukrainase zmbrapsën me sukses “sulme të shumta” në zonat veriore dhe perëndimore të Bahmutit, veçanërisht në Orikovo-Vasilivka dhe Bodanivka.

Forcat ruse vazhdojnë të përparojnë drejt qendrës së qytetit, duke prerë linjat e furnizimit me energji elektrike, në përpjekje për ta rrethuar qytetin.

“Rusia vazhdon të kryejë sulme, pavarësisht humbjeve”, thuhet në raport, ku shtohet se në të njëjtën kohë forcat e Moskës kanë përparuar në zona tjera kyçe në rajonin e Donjeckut, me fokus në Liman, Avdivka, Marinka dhe Shaktarsk, me më shumë se 75 sulme në 24 orët e fundit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder paralajmëroi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për rezultatin e betejës për Ukrainën lindore.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha në një takim virtual të të ashtuquajturit grupi Ramstein i dhjetëra vendeve që kanë ofruar armë për Kievin, se gjithsej nëntë vende janë zotuar ta furnizojnë Ukrainën me 150 tanke Leopard.

Austin tha se mbrojtja e Ukrainës ka arritur “momentin e saj vendimtar”, pasi Rusisë tani “po i mbarojnë opsionet”.

SHARE