VAZHDON SITUATA E RREZIKSHME NGA ZJARRET NË LOS ANXHELOS

Foto: Klan Kosova

Miliona banorë të pjesës jugore të Kalifornisë po përballen me një situatë të re të rrezikshme të mërkurën.

Autoritetet bënë një paralajmërim të rrallë për kushte “moti jashtëzakonisht ekstreme dhe kërcënuese për jetën”, që prek zonën pranë dy vatrave të mëdha zjarri që vazhdojnë të digjen në Los Anxhelos.

Numri i viktimave ka arritur në 25 dhe me mijëra shtëpi janë shkatërruar.

E marta ishte një ditë e qetë për punonjësit e shërbimeve zjarrfikëse për shkak se forca e erërave ra krejt papritur. Kjo u dha mundësi atyre të bënin përparim në vënien nën kontroll të dy vatrave të mëdha të zjarrit në zonën e Los Anxhelosit, e të shuanin me shpejtësi disa vatra të reja.

Një vatër e madhe zjarri që po digjet në pjesën veriore të Los Anxhelosit në Altadena dhe një tjetër që ka shkatërruar pjesën më të madhe të lagjes bregdetare Pacific Palisades, po në Los Anxhelos, vazhdojnë të jenë dy zjarret më të fuqishëm. Situata aty sot paraqitet e ngjashme me atë kur shpërthyen zjarret, më 7 janar.

Erërat e forta të javës së kaluar bënë që flakët të përhapen me shpejtësi të jashtëzakonshme në disa kilometra.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për kushte ektreme moti, me temperatura të larta, lagështi të ulët dhe erëra të forta, nga ora 3 e mëngjesit deri në 3 pasdite duke filluar nga Bregut Qendror, 443 kilometra në drejtim të jugut, deri në kufi me Meksikën.

Situata e emërgjencës ishte në fuqi për një zonë që përfshin pjesë të qarqeve të Los Anxhelosit dhe qytetit të Venturës.

Nuk kemi dalë ende nga situata e vështirë”, thuhej në një postim të Shërbimit Kombëtar të Motit të martën vonë në mbrëmje.

Fuqia e erërave ra sot (e martë), por nesër dhe pasnesër ato mund të fuqizohen“, thuhej më tej.

Më shumë se 77,000 familje janë aktualisht pa energji elektrike. Autoritetet janë detyruar ta ndërpresin atë me qëllimin që rrjeti elektrik të mos bëhet shkak për nxitjen e vatrave të reja të zjarrit.

SHARE