Ngadalësimi ekonomik global do t’i detyrojë më shumë punëtorë që të pranojnë punë që paguhen më pak më 2023, kanë paralajmëruar të hënën Kombet e Bashkuara. Teksa çmimet rriten më shumë sesa të hyrat, kriza e kostos së jetesës është duke shtyrë më shumë njerëz drejt varfërisë, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Punë Ndërkombëtare. Sipas saj, niveli i papunësisë në botë pritet të rritet.Si shkaqe për një situatë të tillë është përmendur lufta e Rusisë në Ukrainë, tensionet gjeopolitike dhe rimëkëmbja nga pandemia e koronavirusit. “Së bashku, ato kanë krijuar kushte për inflacion të lartë dhe rritje të ulët ekonomike – për herë të parë prej vitit 1970”, ka thënë agjencia në raportin e saj vjetor. Vendet më të prekura, sipas të dhënave, janë ato me të hyra të ulëta dhe të mesme.