PARLAMENTI DHE KËSHILLI I BE-së ARRIJNË MARRËVESHJE PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

Përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën. “Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian. Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. “Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim. Në emër të PE-së negociatat me Këshillin i ka zhvilluar raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten. “Më në fund qytetarët e Kosovës do të jenë në gjendje të udhëtojnë për pushime, vizita familjare apo për arsye biznesi në BE, pa pasur nevojë të aplikojnë për viza. Ky është një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, tha ai.

SHARE