ABAZOVIQ: QYTETARËT TË JENË TË QETË, KEMI 200 MILIONË EURO DEPOZITA

Arka e shtetit aktualisht ka 200 milionë euro depozita, bëri të ditur kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe shtoi se qytetarët mund të jenë të qetë. “Ajo që është parashikuar si kredi, nëse ka dhe ndoshta do të jetë e nevojshme që gjatë vitit të ardhshëm të ndërhyhet, do të shkojë edhe në depozita, sepse para gjithë Europës, përfshirë Malin e Zi, është një vit i pasigurt, kur bëhet fjalë për krizën e energjisë dhe ushqimit”, u tha Abazoviq gazetarëve në Budva, ku po mbahet takimi i ministrave të bujqësisë të Evropës Juglindore. Ai tha se Qeveria shpreson që gjithçka do të kalojë pa tronditje. “Mirëpo, ideja e Qeverisë është shumë e përgjegjshme, dhe kjo është që ne kemi para në arkën e shtetit për t’i shërbyer të gjitha nevojave të qytetarëve nëse ndodhë ndonjë goditje e paparashikuar. Nëse shmangen këto goditje, kjo do të lehtësojë situatën në ekonominë malazeze”, tha Abazoviq.

Duke komentuar buxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin e ka përcaktuar Qeveria të hënën, Abazoviq ka thënë se janë të kënaqur dhe se është buxheti më i madh që ka parë Mali i Zi deri më tani. Kryeministri theksoi se kriza ushqimore në botë është një mundësi për secilin vend që të zhvillojë idenë dhe misionin e vet kur bëhet fjalë për prodhimin e ushqimit, por edhe të reflektojë për gabimet nga e kaluara. “Kriza COVID-19 ka ngjallur ide të reja për zhvillimin e bujqësisë. Gjatë saj, për herë të parë në vendin tonë, njerëzit filluan të kthehen në fshatra. Qytetarët filluan të prodhojnë ushqim dhe vetëdija filloi të ndryshojë”, përfundoi Abazoviq.

SHARE