Protestat e nxënësve në Francë po vazhdojnë prej javësh, ndërsa autoritetet po përgatiten për një valë të re tubimesh, pas disa incidenteve të dhunshme të regjistruara gjatë demonstratave të fundit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pranuar se të rinjtë po shprehin shqetësime legjitime, por paralajmëroi se ato po shfrytëzohen politikisht dhe po shndërrohen në akte të papranueshme të dhunës urbane.
Që nga fillimi i protestave, qindra persona, shumica të mitur, janë shoqëruar në polici, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare ka hapur 36 hetime lidhur me incidentet e regjistruara.
Qeveria franceze ka njoftuar disa masa për të qetësuar pakënaqësitë e nxënësve, përfshirë angazhimin e 3.000 mësuesve zëvendësues në shkolla, por protestuesit i konsiderojnë këto masa të pamjaftueshme.
Nxënësit dhe aktivistët kundërshtojnë kushtet në shkolla, duke ngritur shqetësime për mungesën e mësuesve, mbipopullimin e klasave dhe temperaturat e larta gjatë muajve të verës.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të adresuar kërkesat e tyre, demonstratat kanë vijuar në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për zhvillimet e radhës.








