KUVENDI I SERBISË MIRATON RAPORTIN PËR DIALOGUN ME KOSOVËN

Kuvendi i Serbisë miratoi mëngjesin e së enjtes raportin për dialogun me Kosovën. Për miratimin e dokumentit të titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”, votuan 205 deputetë, ndërsa kundër ishin 57. “Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave”, përfshirë: Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit. Debati në Kuvendin e Serbisë për këtë raport zgjati dy ditë. Gjatë prezantimeve të tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai po ashtu shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën dhe se politika reale nuk mund të bazohet në mite. Partia më e madhe opozitare në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit. Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.

SHARE