UNIVERSITETI I MALIT TË ZI SIGURON PËRKTHIMIN E DOKUMENTEVE TË LËSHUARA NË GJUHËT ZYRTARE NË MAL TË ZI

Foto: Boris Pejović

Universiteti i Malit të Zi ka miratuar ndryshime në Rregulloren për barazimin e kualifikimeve të huaja të arsimit me kualifikimet përkatëse në këtë institucion.

Risia më e rëndësishme lidhet me procedurën e dorëzimit dhe përpunimit të dokumentacionit për njohjen e kualifikimeve.

Sipas UMZ, shtetasit e Malit të Zi, dokumentet e të cilëve janë lëshuar në gjuhët që janë në përdorim zyrtar në vend, nuk do të jenë më të detyruar të sigurojnë vetë përkthimin e tyre.

Përkthimi do të realizohet nga Universiteti i Malit të Zi, përmes angazhimit të përkthyesve të autorizuar që plotësojnë kushtet ligjore.

Nga universiteti theksojnë se ky ndryshim synon të forcojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve, të ulë pengesat administrative dhe të rrisë efikasitetin në procesin e njohjes së kualifikimeve të fituara jashtë vendit.

Ndërkohë, për dokumentet e lëshuara në gjuhë të tjera do të vazhdojë të kërkohet përkthimi sipas rregullave në fuqi. Ndryshimet e reja sqarojnë gjithashtu përgjegjësitë në procesin e verifikimit të njohurive të kandidatëve dhe organizimin e provimeve plotësuese apo diferencuese.

Po ashtu, njësitë organizative të UMZ do të krijojnë dhe përditësojnë një bazë të dhënash me përkthime të planeve mësimore, programeve studimore dhe dokumenteve të tjera përkatëse.

Sipas UMZ, kjo do të zvogëlojë nevojën për përkthime të përsëritura, do të përshpejtojë procedurat dhe do të ulë kostot.

Universiteti vlerëson se këto ndryshime janë në përputhje me parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë, duke rritur transparencën, besueshmërinë akademike dhe mobilitetin e studentëve dhe profesionistëve.

SHARE