Foto: Ilustrim
Ka nisur sezoni i furnizimit me dru për dimër në Mal të Zi, ndërsa çmimet këtë vit janë më të larta se vitin e kaluar.
Rritja e çmimeve, sipas shitësve, ka ndikuar edhe në uljen e shitjeve.
Drutë e ahut të gjata një metër këtë vit shiten me çmim nga 65 deri në 70 euro, ndërsa drutë e lisit arrijnë në rreth 80 euro për metër. Vitin e kaluar, çmimi i druve ishte nga 60 deri në 65 euro për metër.
Më të shtrenjta janë edhe drutë e çara, të cilat aktualisht shiten nga 90 deri në 95 euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar çmimi varionte nga 75 deri në 80 euro.
Shitësit thonë se drutë vijnë kryesisht nga zonat e Verushës, Mateshevës, Kollashinit, Mojkovcit dhe Beranës, ndërsa sipas tyre, çmimet nuk pritet të ndryshojnë nga shtatori.
Ahu mbetet lloji më i kërkuar nga qytetarët, por shitësit vërejnë se këtë vit shitja është më e dobët krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, një pjesë e qytetarëve kanë vendosur të sigurojnë dru që tani, nga frika se çmimet mund të rriten ndjeshëm gjatë muajve të ardhshëm.










