Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi do të zhvillojë më 24 gusht dy seanca të jashtëzakonshme, në të cilat do të shqyrtohen ndryshimet në Kushtetutë, si dhe një paketë ligjesh që synojnë forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë kriminale.
Në seancën e parë, deputetët do të diskutojnë Propozimin e amendamenteve të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me përbërjen, zgjedhjen dhe mandatin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, si dhe me rregullimin e statusit të Bankës Qendrore të Malit të Zi.
Në rend dite do të jetë edhe Propozimi i ligjit kushtetues për zbatimin e amendamenteve 17 deri në 21 të Kushtetutës. Amendamentet janë miratuar nga Kuvendi më 9 korrik, ndërsa pas tyre është zhvilluar një proces konsultimi publik.
Në një seancë tjetër, të thirrur me kërkesë të Qeverisë, deputetët do të shqyrtojnë Propozimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale, i njohur si ligji “antimafia”.
Në të njëjtën seancë pritet të diskutohen edhe ndryshimet në ligjet për Prokurorinë e Shtetit, Prokurorinë Speciale të Shtetit dhe përgjegjësinë e personave juridikë për vepra penale.
Në agjendë janë përfshirë edhe ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, si dhe ligje që lidhen me buxhetin dhe përgjegjësinë fiskale, mbrojtjen e të dhënave personale, menaxhimin e mbetjeve, ujërat dhe mbrojtjen ndërkombëtare e të përkohshme të të huajve.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu propozimet për sigurimin e ujit të pijshëm të sigurt për konsum njerëzor, si dhe çështjet që lidhen me pagat dhe të drejtat e funksionarëve të sistemit gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese.










