Ballkani Perëndimor është më shumë se kurrë një prioritet strategjik për Bashkimin Evropian (BE), tha kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, duke thënë se beson se Mali i Zi do të përparojë në procesin integrues në periudhën e ardhshme. Në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Michel tha se BE-ja kishte vepruar e bashkuar që në fillim për të mbështetur Ukrainën dhe për të sanksionuar Rusinë. “Me të gjashtë paketat e sanksioneve që janë rënë dakord, ne vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi ekonominë ruse. Faleminderit për respektimin e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”, tha Michel. I pyetur se sa realiste është që Mali i Zi të jetë anëtari i ardhshëm i BE-së, Michel u përgjigj se “ka shumë përparim në Mal të Zi”. “Kam besim se do të ketë përparim në javët e ardhshme. Është e rëndësishme të tregohet se, nëse zbatohen reformat, mund të jetë një sinjal i shkëlqyer për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor”, tha Michel.Gjukanoviq tha se vizita e Michel tregon përkushtimin e BE-së për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se biseda me Mishelin ishte një mundësi për të vënë në dukje se Mali i Zi me ngjarjet në dy vitet e kaluara ka dëshmuar se është një demokraci funksionale parlamentare. Ai theksoi se Mali i Zi ka për detyrë të përmirësojë sundimin e ligjit, të arrijë një nivel më të lartë të drejtësisë dhe se kjo kuptohet si një detyrë realiste. I pyetur për Ballkanin e Hapur, Michel u përgjigj se BE-ja do të mbështesë gjithmonë iniciativat që inkurajojnë bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe se vendimi duhet të merret nga qeveritë.
Po ashtu, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq është takuar me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. “Në një periudhë shumë të shkurtër kohore, si liderë të integrimit, kemi dhënë rezultate mbresëlënëse. Sot diskutova për integrimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor së bashku me Michel”, shkroi Abazoviq në Twitter.