SHEFJA E BE-së: KOSOVA DHE SERBIA TA SHFRYTËZOJNË RASTIN PËR NORMALIZIM

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka ftuar të martën Kosovën dhe Serbinë, që ta shfrytëzojnë propozimin e Bashkimit Evropian për të normalizuar marrëdhëniet.

Në një takim me korrespodentët e agjencive evropiane të lajmeve, von der Leyen ka thënë se pret që këto dy vende ta shfrytëzojnë rastin në takimet e radhës, ashtu që të japin kontribut për stabilitetin e rajonit, si dhe në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

“Kemi një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj se ai përbën një rast për të dyja palët që ta shfrytëzojnë momentumin, sepse normalizimi është kyç për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit“, ka thënë shefja e BE-së.

Ajo ka thënë se pret që palët të jenë konstruktive në takimet e radhës.

“Shpresoj që të dyja palët do të jenë shumë konstruktive në takimet që do të zhvillohen së shpejti“.

E pyetur se cilat do të jenë pasojat nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në këto takime, ajo ka thënë se “së pari duhet zhvilluar negociatat, e pastaj duhet parë rezultatet“.

SHARE