Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Në dhjetëra shkolla fillore dhe të mesme në Mal të Zi janë dërguar kërkesa për kopje të dëshmive, certifikatave dhe dokumenteve me të cilat punonjësit kanë dëshmuar njohjen e gjuhës shqipe gjatë punësimit.
Sipas burimeve të „Vijesti“ kërkesën e ka dërguar kryetari i Forumit Shqiptar, njëherësh zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, pas polemikave për emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Përzier “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin.
Ai ka deklaruar se ekzistojnë pretendime serioze se disa dëshmi për njohjen e gjuhës shqipe mund të jenë të blera ose të lëshuara nga institucione të paautorizuara, ndërsa verifikimin e tyre do ta bëjnë institucionet kompetente.
Gjeloshaj ka kërkuar zbatimin e njëjtë të ligjit për të gjithë, duke rikujtuar se mësimdhënësit në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën e pakicës duhet të kenë njohuri aktive të asaj gjuhe dhe të gjuhës malazeze.
Drejtori i Shkollës Fillore “29 Nëntori” në Dinoshë, Ibrahim Arifaj, ka konfirmuar për „Vijesti“ se institucioni që drejton ka pranuar kërkesën për qasje të lirë në informacion.
Ai ka bërë të ditur se, para se të japë përgjigje, shkolla do të konsultohet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, në mënyrë që veprimi të jetë në përputhje me ligjin dhe kompetencat institucionale.
Arifaj ka theksuar se shkolla që drejton nuk është ndarë asnjëherë mbi baza fetare, kombëtare apo politike, duke nënvizuar rëndësinë e barazisë, respektit të ndërsjellë dhe dinjitetit të çdo nxënësi dhe punonjësi.
Ndërsa, nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit kanë konfirmuar se janë informuar për kërkesat e dërguara në shkolla.
Ministria ka sqaruar se punësimi i mësimdhënësve është në kompetencë të drejtorëve të shkollave, të cilët duhet t’i zhvillojnë procedurat në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
Ministria ka theksuar gjithashtu se fokusi i saj mbetet cilësia e mësimit, sigurimi i kuadrit profesional dhe kompetent dhe krijimi i kushteve që shkollat të përmbushin pa pengesa funksionin e tyre arsimor dhe edukativ.










