SERBIA I QASET SERIOZISHT DIALOGUT MES BEOGRADIT DHE PRISHTINËS

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se Serbia i qaset seriozisht dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe punës së mëtutjeshme në proceset reformuese në kuadër të integrimeve evropiane.

Vuçiq sot ka biseduar në telefon me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, për situatën aktuale në rajon, perspektivën evropiane të Serbisë, reformat në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Siç njoftoi Presidenca e Serbisë, Vuçiq shprehu mirënjohjen e tij për faktin se Këshilli Evropian për herë të parë miratoi konkluzionet me të cilat kërkohet zbatimi i pakushtëzuar i obligimeve të marra në dialog, veçanërisht obligimi i Prishtinës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë përsëriti “angazhimin e vendosur” të Serbisë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit.

Kryetari i Këshillit Evropian theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke theksuar se një qasje proaktive për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura është thelbësore për integrimin evropian.

SHARE