MARKOVIQ NË KOSOVË PRITET ME NDERIME SHTETËRORE

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesë të Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.Markoviq,  është pritur me nderime shtetërore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

“Me marrëdhëniet tona me Malin e Zi, dëshirojmë ti japim shembull të tjerëve”, tha Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë takimit me Kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Në ditën e dytë të vizitës së tij, Markoviq do të takohet edhe me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Vizita e parë e Kryeministrit të Malit të Zi në Kosovë do të jetë një mundësi për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve mike, duke përcaktuar aktivitete dhe projekte konkrete të përbashkëta, realizimi i të cilave mund të pritet në periudhën e ardhshme.

“Kryeministri malazez Dushko Markoviq, do të diskutojë me zyrtarët e Kosovës për përmirësimin e bashkëpunimit në fushat me interes më të lartë shtetëror si atë në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, turizmit, sigurisë kufitare dhe bashkëpunimit ndërkufitar.Takimet në nivelin më të lartë do të jenë një mundësi për shkëmbim të drejtpërdrejtë të pikëpamjeve mbi marrëdhëniet dypalëshe aktuale, çështjet rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e përgjithsme në interesin më të mirë të të dy vendeve dhe të ardhmen euroatlantike të rajonit të Ballkanit Perëndimor “, thuhet në kumtesë të Qeverisë së Malit të Zi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe i Malit të Zi, Dushko Markoviq, kanë thënë se dy shtetet s’kanë probleme me njëra-tjetrën dhe se kanë një rrugë të përbashkët drejt Evropës.

“Vizita e kryeministrit Markoviq dëshmon që populli i Malit të Zi dhe ai i Kosovës janë jo vetëm fqinj, por popuj që duan njëri tjetrin dhe të ardhmen e përbashkët euroatlantike. Jam thellë i bindur që do të jenë marrëdhënie shembull për të gjithë në rajon”, ka thënë Haradinaj pas takimit me Markoviqin.

Ndërsa, Markoviq ka shtuar se Mali i Zi, do të përkrahë Kosovën në rrugën drejt Evropës dhe ka kërkuar respektim të të gjitha të drejtave për minoritetin malazez në Kosovë. “Vlerësoj lartë bashkëpunimin që kemi. Do ta forcojmë atë më shumë në të ardhmen. Jemi shtet që duam të hyjmë në Bashkimin Evropian jemi në NATO dhe duam që përvojat tona t’ua tregojmë juve e t’ju ndihmojmë në rrugën evropiane”, deklaroi Markoviq.

Markoviq shtoi se ka pas nderin që është kryeministri i parë malazez i cili e vizitoi Kosovën.

SHARE