RIMARRJA E HERSONIT “HISTORIKE” PËR UKRAINË

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar rikthimin e forcave të tij në qytetin juglindor të Hersonit si “ditë historike”, por zyrtarët kanë paralajmëruar se do të ketë përpjekje të vështira në të ardhmen, edhe pse liderët e instaluar nga Rusia më në lindje të Ukrainës kanë sinjalizuar për një tërheqje të re të forcave ruse.

“Sot është ditë historike. Ne po kthehemi në Herson”, tha Zelensky gjatë një adresimi në orët e vona të 12 nëntorit. Ai shtoi se “mbrojtësit tanë janë në periferi të qytetit”, ndërkaq “njësitë speciale veçse janë në qytet”.

“Banorët e Hersonit kanë qenë në pritje për këtë”, tha ai. “Ata kurrë nuk e braktisën Ukrainën. Shpresa për Ukrainën është gjithmonë e justifikuar dhe Ukraina do të marrë atë që i takon”.

Zelensky i përshkroi si “ferr” betejat në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.

Atje, siç sugjerojnë raportimet, forcat ruse dhe ato pro-Moskës thuhet se po vazhdojnë luftimet e ashpra për të mbajtur territoret nën kontroll.

SHARE