Ukraina dhe Rusia janë duke raportuar për humbje të mëdha, teksa vazhdon beteja në qytetin ukrainas, Bahmut. Moska është duke tentuar që disa muaj që të fitojë kontrollin e këtij qyteti në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se forcat ruse janë përballur me më shumë se 1.100 vdekje në ditët e fundit, dhe ka më shumë njerëz të plagosur seriozisht. Rusia ka thënë se ka vrarë më shumë se 220 pjesëtarë të ushtrisë ukrainase në 24 orët e fundit. Analistët kanë thënë se Bahmuti ka vlerë të vogël strategjike, mirëpo e ka marrë vëmendjen kryesore të komandantëve rusë, të cilët janë në kërkim të ndonjë lajmi pozitiv për Kremlinin. Kapja e qytetit do t’i ndihmonte Rusisë në jetësimin e synimit të saj për të kontrolluar gjithë rajonin ukrainas të Donjeckut. Donjecku është një prej katër rajoneve në lindje dhe jug të Ukrainës, që është aneksuar nga Rusia në shtatorin e vitit të kaluar, pas referendumeve që Perëndimi i ka konsideruar të rreme. Para luftës, në Bahmut kanë jetuar rreth 70.000 njerëz, mirëpo tani vetëm pak mijëra kanë mbetur aty. Ky qytet dikur është njohur për minierat e kripës dhe veraritë e mëdha. Sikurse Rusia, edhe Ukraina i ka dhënë Bahmutit rëndësi politike, pasi Zelensky e ka kthyer qytetin në emblemë të rezistencës.