OSMANI KËRKON RUAJTJEN E INTEGRITETIT TË PROCESIT ZGJEDHOR NË TAKIM ME KRYETARIN E KQZ-së

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten në mëngjes ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, me ç’rast kërkoi ruajtjen e integritetit të procesit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pas telasheve të vazhdueshme me të cilat është përballur platforma elektronike e raportimit të rezultateve.

“Presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi”, tha Presidenca në një njoftim në Facebook.

Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve ra nga sistemi vazhdimisht, kanë ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.

Presidenca tha se Radoniqi sqaroi para presidentes Osmani se KQZ-ja i ka njoftuar “menjëherë” institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve.

“Njëkohësisht, presidentja është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve”, thuhet në njoftim.

KQZ-ja njoftoi të enjten se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës po zhvillohet në 19 prej 38 komunave të vendit.

Numërimi nisi me një ditë vonesë më 11 shkurt vetëm në katër komuna, ndërsa në komunat e tjera nisi në ditët pasuese.

SHARE