KQZ: PROCESI I NUMËRIMIT TË VOTAVE MUND TË ZGJASË DERI NË DY JAVË

Foto: Bota Sot

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka parashikuar të enjten se procesi i numërimit të të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë, ndonëse nuk është bërë ndonjë vlerësim i saktë.

“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit për të parë se si po shkon atje procesi, nuk e kemi bërë një vlerësim se sa do të zgjatet tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi, por një e përafërt do të jetë 10 ditë, dy javë”, ka thënë Radoniqi.

Në mbledhjen e KQZ-së është bërë e ditur se tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në 18 komuna, në tetë komuna numërimi pritet të nisë sot, ndërsa në 12 të tjera po bëhen përgatitje.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e rregulla parlamentare më 9 shkurt.

Me Ligjin e ri për Zgjedhjet në Kosovë, të miratuar më 2023, votat për kandidatët për deputetë do të duhej të nisnin të numëroheshin në mëngjesin e 10 shkurtit, mirëpo zyrtarët e KQZ-së kanë përmendur problemet administrative si arsye për vonesat.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se shkaktarë për vonesat në numërim janë problemet në ofrim të shërbimeve të teknologjisë informative, siç është lidhja e kamerave me laptopë dhe monitorë.

Ai ka thënë se KQZ-ja është duke angazhuar profesionistë të teknologjisë informative nëpër këto komuna për të përmbushur aspektin e funksionalizimit.

Zyrtarë të KQZ-së i kanë bërë thirrje Buzhalës që të ketë gati një Plan B, në rast se sistemi do të vazhdojë të dështojë, apo të ketë probleme tjera me qasjen në të.

Ai ka garantuar që nëse në ditët në vijim problemet do të vazhdojnë të raportohen, atëherë KQZ-ja do t’i kthehet metodës së vjetër dhe do të hapë tender për t’i siguruar tre lloje formularësh, për të përmbyllur këtë proces sa më shpejt që është e mundur.

Megjithatë, zyrtarë të KQZ-së janë pajtuar njëzëri që të mos luftohet për shpejtësi, por për saktësi të rezultateve.

KQZ-ja është përballur me probleme me serverë edhe në ditën e zgjedhjeve, kur janë numëruar vetëm votat për subjekte politike. Disa kanë aluduar që faqja mund të ketë qenë shënjestër e ndonjë sulmi kibernetik.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk ka informacione shtesë, pasi tani rasti i takon Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.

SHARE