ADMINISTRATA TATIMORE E MALIT TË ZI FORCON KONTROLLET GJATË SEZONIT TURISTIK

Foto: BORIS PEJOVIC

Administrata Tatimore e Malit të Zi ka njoftuar se nga sot do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin për të luftuar ekonominë informale gjatë sezonit veror turistik.

Inspektorët do të përqendrohen në lëshimin e kuponëve fiskalë, regjistrimin e punëtorëve, evidentimin dhe pagesën e xhiros, si dhe në përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet bizneseve me rrezik më të lartë për shkelje, sidomos atyre që ushtrojnë veprimtari sezonale në sektorët e turizmit, hotelerisë dhe tregtisë.

Gjithashtu, do të shtohen kontrollet ndaj ofruesve të akomodimit privat, ku me urdhër gjykate inspektorët do të mund të verifikojnë numrin real të mysafirëve, regjistrimin e tyre dhe deklarimin korrekt të të ardhurave.

Administrata Tatimore thekson se lufta kundër ekonomisë gri do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet e tjera inspektuese, ndërsa bizneset ftohen të respektojnë me kohë detyrimet ligjore për të shmangur gjobat dhe sanksionet.

SHARE