GJELOSHAJ: MALI I ZI MBETET PARTNER I BESUESHËM PËR INVESTITORËT E HUAJ

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, zhvilloi një takim me delegacionin austriak të udhëhequr nga zëvendësguvernatorja e krahinës së Stirias, Manuela Khom, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetjen e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian.

Gjeloshaj i uroi mirëseardhjen delegacionit austriak dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen që Stiria dhe Austria i japin Malit të Zi në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Nga ana e saj, Khom vlerësoi Malin e Zi si një partner të besueshëm me potencial të konsiderueshëm zhvillimor, duke përshëndetur gjithashtu progresin e reformave në kuadër të integrimeve evropiane.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Stirias, i cili konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me rajonet e suksesshme evropiane.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe avancimi i procesit të integrimit evropian përbëjnë sinjale pozitive për investitorët nga Stiria dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Gjeloshaj theksoi se Qeveria e Malit të Zi do të mbetet një partner i besueshëm për të gjithë investitorët seriozë dhe kredibilë.

Në fund të takimit, palët ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët.

SHARE