SHQIPËRIA DHE MAQEDONIA E VERIUT NË ZI KOMBËTARE NË SHENJË SOLIDARITETI ME TÜRKIYE-n

Në Shqipëri dhe në Maqedoni të Veriut sot është ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të tërmeteve shkatërrimtare dhe në shenjë solidariteti me Türkiye-n. 

Qeveria e Shqipërisë vendosi që 13 shkurti të jetë ditë zie kombëtare, ndërkohë flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë nëpër institucionet e vendit.

Flamuri është ulur gjysmështizë në selinë e Presidencës së Shqipërisë, Kryeministrisë, Kuvendit, ministrive, dhe në institucionet e tjera qendrore dhe lokale.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në reagimin e tij për ditën e zisë, në rrjetet sociale ka shkruar: “Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Türkiye-s gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019”.

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale ka publikuar një fotografi të flamurit shqiptar në gjysmështizë, në selinë e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë. Kujtojmë se zyrtarët e lartë të Shqipërisë në reagimet e tyre shprehën solidaritetin me shtetin dhe popullin turk pas tërmeteve shkatërrimtare.

Në Shqipëri gjithashtu vazhdon solidariteti i institucioneve, organizatave dhe qytetarëve për të mbështetur me ndihma dhe shuma në para familjet e prekura nga tërmetet në Türkiye.

Ditë zie në Maqedoni të Veriut në shenjë solidaritetit me Türkiye-n dhe Sirinë

Në Maqedoni të Veriut sot është shpallur Ditë zie në shenjë solidariteti dhe nderimi për viktimat nga tërmetet që goditën Türkiye-n dhe Sirinë më 6 shkurt. 

Vendimi për shpalljen e Ditës së Zisë u soll nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë ditës së zisë, flamujt në vend si dhe para përfaqësive diplomatike-konsullore jashtë vendit, janë ulur në gjysmështizë. Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se vendimi është marrë si shprehje solidariteti dhe nderimi për numrin e madh të jetëve të humbura të shkaktuara nga tërmeti katastrofik që goditi Türkiye-n dhe Sirinë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpreh ngushëllime të thella për humbjet, për të gjithë popullin turk dhe për të afërmit e viktimave të tërmetit në Türkiye dhe Siri”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

SHARE