Foto: dukagjini.com
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Në postimin e bërë në Facebook, Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete për takimin.
Ky komision është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Megjithatë, zotimet që përfshin ajo – si qasja e plotë në informacione të besueshme, vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur dhe puna e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga BE-ja – kanë mbetur pa u zbatuar.
Në takimin e fundit në Bruksel më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur.
Në atë rast, Bislimi ka konfirmuar se Komisioni i Përbashkët do të fillojë të merret me çështjet në fjalë që nga janari.
“Ka premtime nga Serbia se nuk do të ketë tendenca që të pengohet puna e këtij komisioni në të ardhmen”, ka thënë atëkohë Bislimi.
Petkoviq, në anën tjetër, ka thënë se është ndërmarrë “hapi i fundit i nevojshëm” për çështjen e personave të zhdukur.
“Kemi Deklaratën, kemi rregulloren e punës dhe tani kemi rënë dakord për një komision të përbashkët që do të mbështesë grupin e punës, të cilin, si deri tani, e kryeson Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, ka thënë ai.
Sipas Kryqit të Kuq, janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë – shumica prej tyre shqiptarë.