Paguani ose do të përballeni me fatkeqësi. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ku u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në samitin e klimës COP29 që të ndërmarrin veprime të forta për të parandaluar fatkeqësitë natyrore.
“Tingulli që dëgjoni është ora. Jemi në numërimin mbrapsht për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius dhe koha nuk është në anën tonë. Të pasurit shkaktojnë problemin, të varfërit paguajnë çmimin më të lartë.”
Ndryshe nga Guterres, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev i cilësoi naftën, gazin dhe burimet tjera “dhuratë nga Zoti”.
“Nafta, gazi, era, dielli, ari, argjendi, bakri, të gjitha janë burime natyrore dhe shtetet nuk duhet të fajësohen për nxjerrjen e këtyre burimeve në treg, sepse tregu ka nevojë për to.”
Gjithashtu kryeministri Keir Starmer në fjalimin e tij të parë shpalli një objektiv të ri klimatik për Mbretërinë e Bashkuar për të reduktuar emetimet e vendit me 81% deri në vitin 2035. Ai nënvizoi se në 100 ditët e para të qeverisë ai ka ndërmarrë hapa për të mbyllur termocentralin e qymyrit.
Gati 200 vende janë mbledhur në samitin vjetor të OKB-së për klimën i fokusuar këtë vit në mbledhjen e fondeve për të financuar një tranzicion global drejt burimeve më të pastra të energjisë.