Për të katërtin vit radhazi, Loredana nominohet për çmimin “Artistja më e mirë zvicerane” në MTV Europe Music Awards

Të dielën mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve evropiane të muzikës, MTV Europe Music Awards.

Ajo çfarë e karakterizon eventin e rëndësishëm sivjet është pjesëmarrja e shumtë e shqiptarëve në edicionin e sivjetmë të këtij eventi.

Rita Ora do të jetë nikoqirja e mbrëmjes, e cila do të prezantojë MTV EMA në krahët e bashkëshortit të saj, Taika Waititi.

Rita Ora dhe Taika Waititi (Foto: MTV)

Në anën tjetër, Bebe Rexha dhe Ava Max do të performojnë para publikut disa nga hitet e tyre më të mëdha.

Këto të fundit madje janë të nominuara për çmimin “Bashkëpunimi më i mirë”, ku për ta fituar këtë çmim garon edhe artistja tjetër shqiptare e famshme, Dua Lipa.

MTV Europe Music Awards ndan çdo vit edhe çmimet për artistët më të suksesshëm të shteteve evropiane.

Për katërtën herë radhazi, në kategorinë “Artisti/ja më i/e mirë në Zvicër” është nominuar reperja shqiptare Loredana.

Loredana në MTV EMA 2019 (Foto: Getty Images)

Ajo e ka fituar dy herë më parë këtë çmim në vitet 2019 dhe 2020, teksa tenton ta fitojë sërish këtë vit.

MTV në Gjermani i dha një mbështetje rep-artistes nga Ferizaj duke publikuar në Instagram një fotografi të saj, ku i inkurajon fansat ta mbështesin atë.

Loredana përndryshe ka një karrierë muzikore mjaft aktive si në tregun shqiptar, ashtu edhe atë gjerman dhe zviceran. /Telegrafi/

SHARE