BOMBARDIMET IZRAELITE VRASIN DHJETËRA NJERËZ NË BEJRUT DHE NË NJË SHKOLLË NË GAZË

Së paku 18 njerëz janë vrarë dhe 92 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite në Bejrut, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit të enjten mbrëma. Ndërkohë, në të njëjtën ditë, ushtria izraelite vrau 27 njerëz gjatë një sulmi në një shkollë që po strehonte palestinezë në Rripin e Gazës.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit, NNA, raportoi për dy sulme ajrore në mbrëmje në qendër të Bejrutit. I pari kishte në shënjestër një ndërtesë tetëkatëshe dhe i dyti një ndërtesë katërkatëshe, e cila u shemb plotësisht si pasojë i sulmit, tha NNA.

Agjencia e lajmeve Retuers raportoi me burime se në shënjestër të sulmeve ishte të paktën një figurë e lartë e Hezbollahut. Kjo është hera e tretë që ushtria izraelite kryen sulme në Bejrut prej kur Izraeli e filloi një fushatë ushtarake në Libanin jugor muajin e kaluar kundër grupit mbështetur nga Irani, Hezbollah, gjë që ka ngjallur frikë për shpërthimin e një lufte të përgjithshme rajonale.

Më herët më 10 tetor, një sulm izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës vrau të paktën 27 persona, thanë zyrtarët palestinezë të Shëndetësisë, ndërsa një sulm tjetër izraelit goditi selinë e paqeruajtësve të OKB-së në Libanin jugor, duke e nxitur Italinë ta qortojë ambasadorin izraelit në Romë.

Ushtria izraelite tha se kreu një “sulm të saktë mbi terroristët”, të cilët kishin vendosur një qendër komanduese në shkollë.

“Ky është një shembull tjetër se si organizata terroriste Hamas e abuzon sistematikisht infrastrukturën civile, duke shkelur ligjin ndërkombëtar”, tha ushtria izraelite.

Grupi militant palestinez Hamas, i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, i ka mohuar akuzat e tilla.

Njerëzit që ishin strehuar në shkollë thanë se sulmi goditi punonjësit e ndihmës gjatë një takimi të tyre dhe plagosi 54 persona të tjerë.

Izraeli ka vazhduar t’i godasë ato që thotë se janë shënjestra militantësh në të gjithë Gazën, edhe pse njëkohësisht e ka zgjeruar luftën pasi po e lufton edhe Hezbollahun në Liban, në një kohë të tensioneve të rritura me Iranin.

SHARE