SPAJIQ: ORA E KRYEMINISTRIT NË MES TË MUAJIT MAJ, PARLAMENTI TË FOKUSOHET NË PUNËN E TIJ

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq pret që në fillim të majit Mali i Zi të marrë opinionin përfundimtar të Komisionit Evropian dhe shumicës së shteteve anëtare nëse do të kemi IBAR-in në qershor.

Ai vlerësoi se është e papërgjegjshme të ofertohet me kushte dhe se presin që deri në fund të vitit të mbyllen dhjetë kapituj të negociatave.

“Për herë të parë kemi një shans real për të fituar IBAR-in dhe kjo do të thotë shumë për teknokratët, njerëzit cilësorë të sistemit, heronjtë e heshtur që e shtyjnë vendin drejt BE-së. Ne duhet t’i mbajmë ata njerëz si ujë në pëllëmbë të dorës, duhet t’i motivojmë ata njerëz dhe mënyra më e mirë është të marrim IBAR-in në qershor”, tha kryeministri.

Spajiq bëri të ditur se çdo javë do të kemi një përditësim në lidhje me partneritetin strategjik me Francën.

Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë e Francës ka njoftuar se është e gatshme të financojë studimin e fizibilitetit të spitalit në Podgoricë, pavarësisht nëse kontraktorët e tyre do ta ndërtojnë atë objekt.

“Ne gjithashtu do të kemi një marrëveshje mes dy ministrive të shëndetësisë dhe se spitali në Podgoricë do të realizohet si pjesë e kësaj marrëveshjeje”, tha Spajiq në një konferencë për media.

Bashkëpunimi, shtoi ai, është rënë dakord edhe në fushën e ekologjisë.

Kryeministri tha se bashkëpunimi ndërmjet kompanisë EDF dhe Elektroekonomisë së Malit të Zi është duke u zhvilluar dhe se po punohet intensivisht në shqyrtimin e projekteve të ndryshme.

“Duhet të gjendet një mënyrë për të bërë investimet e mëdha që vijnë në mënyrë të qëndrueshme fiskale dhe në një mënyrë që të rëndojë financat e shtetit në një masë shumë më të vogël se sa do të ishte nëse shteti do t’i financonte vetë të gjitha projektet. Sigurisht, nëse ka mundësi të shfrytëzohen edhe opsione të tjera si BERZH… Pritet që të konfirmohet granti prej 200 milionë eurosh për rrugën Mateshevë-Andrijevicë. Ne do të vazhdojmë të lobojmë për ndërtimin e të gjitha seksioneve të tjera”, tha Spajiq në konferencë.

I pyetur për orën e kryeministrit dhe pamundësinë e ardhjes për shkak të udhëtimit në Gjermani, Spajiq tha: „Do shihemi në parlament në mes të majit. Sikur të isha taksapagues dhe të shikoja se çfarë ndodhi në sallën e kuvendit, do të thoja që nuk dua të financoj cirkun, dua të financoj njerëz të përgjegjshëm që do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve. Nga ky këndvështrim, mendoj se është humbje kohe, parlamenti duhet të fokusohet në punën e tij, nuk ka asnjë iniciativë…”

SHARE