POLICIA E KOSOVËS SULMOHET NË ZVEÇAN, LËNDOHET NJË POLIC

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka përfunduar me lëndime të lehta si pasojë e një sulmi që ka ndodhur ndaj njësive policore të Kosovës në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit. Siç njofton Policia e Kosovës, zyrtarët policorë janë sulmuar nga “persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”. “Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë. Njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare (QKMF) për ofrimin e ndihmës mjekësore”, thuhet në njoftim. Sulmi ndodhi rreth 2 orë pasi Policia e Kosovës rriti praninë në komunat e veriut të vendit, me shumicë të komunitetit serb. Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë quajtur veprimet në veri si të orkestruara nga Serbia. Madje, presidentja Osmani tha se sa herë që Kosova dhe Serbia janë afër një marrëveshje finale, Serbia tenton të krijojë kriza në veri të Kosovës duke përdorur serbët lokalë.

SHARE