VALA E TË NXEHTIT ‘PJEK’ TEKSASIN / SHBA ’NË GJUNJË’, KANADAJA PËRGATITET PËR ZJARRE

Miliona amerikanë në Teksasin juglindor u përballën me një nxehtësi të padurueshme të martën, pa ndihmën e ajrit të kondicionuar pasi stuhia vdekjeprurëse tropikale Beryl, që kaloi më herët në rajon, coi në ndërprerjen e energjisë elektrike në pjesën më të madhe të shtetit.

I nxehti përvëlues ka përfshirë po ashtu pjesën më të madhe të SHBA-së perëndimore dhe Kanadasë, duke rritur rrezikun e zjarreve.

Rreth 2 milionë shtëpi dhe biznese në Teksas ishin pa energji elektrike, ndërsa temperaturat arritën në 38 gradë celcius mesditën e së martës, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.

Stuhia tropikale Beryl preku teksasin të hënën, duke përmbytur autostradat, duke dëmtuar shtëpitë dhe duke rrëzuar linjat e energjisë elektrike në rrugën e saj.

Shtatë persona humbën jetën në Teksas për shkak të stuhisë, dy prej të cilëve për shkak të pemëve të rrëzuara. Beryl vrau 11 persona në Karaibe para se të arrinte Teksas.

E reduktuar në një ciklon post-tropikal të martën, stuhia u dobësua ndërsa lëvizi nëpër pjesën qendrore të SHBA-së, por ende përbën rrezik për përmbytje të shpejta dhe tornado deri të mërkurën, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.

Në total, rreth 128 milionë njerëz në të gjithë SHBA-në janë nën paralajmërime për të nxehtë ekstrem.

Nga Siatëlli deri në Kaliforni dhe Arizona, pritet të shënojnë temperatura të larta rekord.

Temperatura më e lartë kombëtare prej 54 gradësh celcius është regjistruar ndërkohë pranë Tecopa-s, në Kaliforni, në shkretëtirën Mojave, tha shërbimi amerikan i motit.

SHARE