ESCOBAR PARALAJMËRON THELLIM TË KRIZËS NË KOSOVË

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar paralajmëron thellimin e krizës në veri të Kosovës, nëse Prishtina dhe Beogradi vazhdojnë të mos ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës.

“Mendoj se nëse palët nuk pranojnë planin e propozuar nga Bashkimi Europian për çtensionimin, ne mund të shohim një krizë më të thellë”.

Në një intervistë për radiotelevizionin publik kroat gjatë qëndrimit të tij në këtë vend, Escobar vlerësoi planin e paraqitur nga shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell.

Zyrtari i Washington-it bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të këtij plani, që parashikon që Beogradi të nxisë tërheqjen e protestuesve në veri të Kosovës, Prishtina të tërheqë policët dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja për krerët e 4 komunave me shumicë serbe në veri.

Bashkimi Europian po aplikon masa ndëshkuese ndaj qeverisë Kurti, që nuk i është përgjigjur thirrjes për çtensionim, ndërsa ka paralajmëruar se masa mund të merren së shpejti edhe ndaj Serbisë.

SHARE