UKRAINË – RUSI, PA MARRËVESHJE PËR KORRIDORE HUMANITARE DHE ARMËPUSHIM

Takimi ndërmjet ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Ankara të Turqisë, ka përfunduar pa një marrëveshje sa i takon korridoreve humanitare, si dhe armëpushimit. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha në një konferencë për media pas takimit se ka kërkuar hapjen e një korridori humanitar, përmes së cilit do të largoheshin civilët nga qyteti i Mariupolit, por, sipas tij, “fatkeqësisht ministri Lavrov nuk ishte në pozitë që të zotohej për këtë”. Kuleba tha se u kërkua një armëpushim 24 orësh me qëllim “të zgjidhjes së çështjeve më urgjente humanitare”. Ministri ukrainas bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë përparim për këtë çështje pasi, siç tha ai, “duket se ka vendimmarrës të tjerë për këtë çështje në Rusi”. Mes tjerash, Kuleba tha se ata ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar një zgjidhje për çështjet humanitare dhe shtoi se ai është i gatshëm të takohet përsëri në këtë format nëse ka gatishmëri për diskutim thelbësor dhe kërkim të zgjidhjeve. “Dua ta përsëris se Ukraina nuk do që të dorëzohet dhe nuk do të dorëzohet”, tha ai. Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Lavrov, pas takimit pati kritika të shumta për Perëndimin duke thënë se po vepron në mënyrë të rrezikshme me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe me rastin e armatosjes së Ukrainës.

SHARE