GJUROVIQ: ÇËSHTJA E GJYKATËS KUSHTETUESE TË ZGJIDHET MË 22 NËNTOR

Kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq tha se pret që Gjykata Kushtetuese të zhbllokohet në seancën e 22 nëntorit. Gjuroviq, pas takimit të përfaqësuesve të shumicës parlamentare, tha se arritjen më të madhe e konsideron faktin se të gjitha partitë ishin të gatshme të vijnë dhe të diskutojnë për çështje që rëndojnë shoqërinë. Ajo tha se është e kënaqur që sot ka pasur mundësinë të dëgjojë të gjithë përfaqësuesit dhe të shqyrtojë nëse ka apo jo vend për një kompromis. “Është e rëndësishme që ne i përcaktuam temat e dialogut politik. Edhe këtë verë fokusi ishte në Gjykatën Kushtetuese dhe reformën e legjislacionit zgjedhor”, tha Gjuroviq. Ajo tha se qëndrimet përkatëse janë që fokusi i dialogut politik të jetë çështja e Gjykatës Kushtetuese dhe se të gjitha të tjerat duhet të jenë produkt i shqyrtimit më të thellë dhe marrëveshjes politike. E pyetur nëse është marrë parasysh tërheqja e Ligjit për Presidentin, ajo është përgjigjur se nuk ka pasur deklarata të drejtpërdrejta lidhur me kërkesën e askujt. “Të gjithë qëndruan në qëndrimet e tyre, por shoh që ka vullnet për të biseduar. Pres që në takimin e ardhshëm të arrijmë në zgjidhje konkrete”, përfundoi Gjuroviq.

Menjëherë pas fillimit, liderët e FD-së, si dhe kryetarët e Demos dhe Të drejtët, Goran Danilloviq dhe Marko Millaçiq u larguan nga mbledhja. Ata thanë se me mosardhjen në mbledhjen e sotme, kryetari i PDS-së, Millo Gjukanoviq, ka treguar se nuk dëshiron bisedime. “Kam përgatitur një propozim konkret, por sot Gjukanoviq ka refuzuar dialogun politik dhe kështu ka dërguar mesazh se nuk është i interesuar për zgjidhjen e krizës”, tha Medojeviq. Mandiq njoftoi se do të vendos serish në procedurë iniciativën për të përcaktuar nëse Gjukanoviq ka shkelur Kushtetutën. “Me votim të ri për ndryshimet në Ligjin për Presidencën dhe shpalljen e kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha Mandiq.

Partia Socialdemokrate (SDP) nuk do të votojë për gjyqtarët e imponuar të Gjykatës Kushtetuese, tha Draginja Vuksanoviq Stankoviq, deputete e asaj partie. Ajo para gazetarëve në Kuvend, pas takimit të përfaqësuesve të partive parlamentare, tha se ata kanë ardhur në takim për të bërë një bisedë konstruktive, por se nuk ka dalë asgjë sepse është minuar nga Fronti Demokratik (FD).

Në takim muar pjesë edhe deputeti Genci Nimanbegu, ku mbas takimit bëri një deklaratë në Facebook ku thekson: „Prania ime në takimin në Kuvend me liderët politikë është dëshmi e vullnetit tonë për të kontribuar në një marrëveshje politike të mundëshme. Sot për sot në Mal të Zi nuk ka kushte për një marrëveshje të tillë. Për ne duhet gjithesi të jetë si një nga pikat edhe reforma zgjedhore e cila do të eci në dobi të përfaqësimit të popullit tonë.“

SHARE