Fëmijët duhet të fuqizohen për të raportuar çdo formë të dhunës së bashkëmoshatarëve, tha ministri i Sportit dhe Rinisë dhe kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijëve, Dragosllav Shqekiq.
Ai tha se rasti i dhunës së bashkëmoshatarëve në Tivar, ku mbeti i plagosur rëndë një djalë 18-vjeçar, rihap çështjen e rëndësishme të dhunës tek fëmijët e moshës shkollore dhe nevojën për parandalimin e formave të tilla të sjelljes.
Shqekiq, në një deklaratë të dhënë për media, tha se dhuna e bashkëmoshatarëve më së shpeshti ndodh në shkolla dhe përfshin dhunën emocionale, verbale, kibernetike dhe fizike.
“Këto forma të dhunës në vitet e formimit të fëmijëve mund të çojnë në pasoja afatgjata për shëndetin e tyre mendor dhe ndjenjën e tyre të sigurisë, ose mungesë sigurie,” tha ministri.
Siç tha ai, mbështetja e të rriturve ka një rol kyç në krijimin e një ambienti më të sigurt për të rinjtë. Shqekiq theksoi se është e rëndësishme që të rinjve t’u ofrohet edukim për pasojat e dhunës, të inkurajohet empatia dhe së bashku me ta të zhvillohen strategji për parandalim.
“Ne duhet t’i fuqizojmë fëmijët që të raportojnë çdo formë të dhunës së bashkëmoshatarëve dhe ne kemi një përgjegjësi të madhe për të krijuar një atmosferë të sigurt për të rinjtë në mënyrë që ata të mos kenë frikë të raportojnë dhunën,” përfundoi Shqekiq.